VENDIM
Nr.220, datë 12.3.2020
PËR PËRCAKTIMIN E KATEGORISË SË TATIMPAGUESVE DHE TË KRITEREVE TË PËRDORIMIT TË PROCEDURËS SË THJESHTËZUAR TË FISKALIZIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 22, pika 1, dhe 27, pika 1, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Tatimpaguesit që lëshojnë fatura për transaksione me para në dorë, sipas nenit 22, të ligjit nr.87/2019,
“Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e fiskalizimit përmes përdorimit të platformës qendrore të faturave, nëse përmbushin kriteret e mëposhtme: a) Nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar; b) Nuk kanë asnjë shkelje të konstatuar në lidhje me moslëshimin e faturës në 3 vitet e fundit; c) Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit. 2. Tatimpaguesit që nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, të cilët lëshojnë fatura elektronike për transaksione pa para në dorë, sipas nenit 27, të ligjit nr.87/2019, mund të lëshojnë fatura elektronike dhe të kryejnë procedurën e fiskalizimit përmes përdorimit të platformës qendrore të faturave, nëse përmbushin kriteret e mëposhtme: a) Nuk kanë asnjë shkelje të konstatuar në lidhje me moslëshimin e faturës në 3 vitet e fundit; b) Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit. 3. Tatimpaguesi që lëshon fatura sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, mund të përdorë platformën qendrore të faturave për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, për sa kohë që përmbush të gjitha kriteret e kërkuara.
Në momentin kur një nga kriteret nuk përmbushet më prej tatimpaguesit, tatimpaguesi nuk mund të përdorë më tej platformën qendrore të faturave për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, por duhet të zbatojë procedurën e fiskalizimit me anë të zgjidhjeve software-ike të certifikuara, sipas rregullave të përgjithshme të përcaktuara në ligjin nr.87/2019. 4. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i fillon efektet respektivisht në të njëjtën kohë me afatet e përcaktuara në legjislacionin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.
KRYEMINISTËR Edi Rama
Botuar ne Fletoren Zyrtare Nr.42, date 19.03.2020.